Bill Gates ka njoftuar se do të dhurojë pjesën dërrmuese të pasurisë së tij personale, me qëllimin që deri në fund të vitit 2045 të kontribuojë rreth 200 miliardë dollarë për të ndihmuar më të varfrit e botës përmes Fondacionit Gates.
Në përvjetorin e 25-të të themelimit të fondacionit, filantropi dhe bashkëthemeluesi i Microsoft theksoi se do të përshpejtojë planet për ndarjen e pasurisë dhe mbylljen e fondacionit më 31 dhjetor 2045, pasi të jetë shpenzuar rreth 99% e pasurisë së tij.
“Njerëzit do të thonë shumë gjëra për mua kur të vdes, por ‘vdiq i pasur’ nuk dua të jetë njëra prej tyre”, shkroi Gates në faqen e tij zyrtare.
Ai kritikoi shkurtimet në ndihmat ndërkombëtare nga qeveritë e pasura – përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën – dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për të luftuar sëmundje të shmangshme, si poliomieliti, malaria dhe fruthi, dhe për të reduktuar varfërinë ekstreme.
Që nga themelimi në vitin 2000 me Melinda French Gates dhe Warren Buffett, fondacioni ka kontribuar me mbi 100 miliardë dollarë, duke shpëtuar miliona jetë dhe mbështetur programe si Gavi dhe Fondi Global për HIV/AIDS, tuberkuloz dhe malarie. Buxheti vjetor i fondacionit pritet të arrijë në 9 miliardë dollarë deri në vitin 2026, duke e bërë atë një ndër aktorët kryesorë në shëndetin global.
Gates u bëri thirrje edhe miliarderëve të tjerë që të rrisin ritmin dhe shkallën e filantropisë, duke e cilësuar këtë si një nga mënyrat më të fuqishme për t’i dhënë diçka pas shoqërisë.