256 mijë makina me borxhe, 1 në 4 persona nuk paguajnë taksën vjetore

Drejtori i Regjistrimit të Mjeteve në DPSHTRR, Arben Progni, ka bërë të ditur se rreth 1 në 2 shqiptarë zotëron një automjet, por 1 në 4 prej tyre nuk paguan taksat dhe nuk kryen kontrollin teknik të mjetit. Sipas tij, borxhi i akumuluar ndër vite kap shifrën alarmante prej 17 miliardë lekësh.

Në një intervistë për Vizion Plus, Progni u shpreh se vetëm gjatë muajit qershor, 256 mijë mjete rezultojnë debitorë ndaj Drejtorisë së Shërbimeve Rrugore. Të gjithë poseduesit e makinave me detyrime janë njoftuar përmes platformës e-Albania, ndërkohë që DPSHTRR po bashkëpunon me një bankë për të lehtësuar pagesat online të këtyre taksave.

Tatimet kanë paralajmëruar kontrolle më të rrepta ndaj borxhlinjve, megjithatë sfidë mbetet identifikimi i mjeteve që realisht janë në përdorim, pasi shumë prej tyre mund të jenë jashtë qarkullimit pa u çregjistruar zyrtarisht.

Progni theksoi se ekziston mundësia e çregjistrimit të përkohshëm, një procedurë që ndalon llogaritjen e detyrimeve për aq kohë sa mjeti nuk përdoret. “Çdo qytetar që nuk e përdor për një periudhë kohe mjetin e tij, ka të drejtë të kërkojë pezullim të përkohshëm të regjistrimit, me kushtin që të mos ketë detyrime të papaguara,” tha ai.

Ky opsion shihet si zgjidhje edhe për emigrantët që zotërojnë mjete në Shqipëri, por nuk i përdorin gjatë gjithë vitit. Ndërsa çregjistrimi përfundimtar kërkon shlyerjen e plotë të të gjitha borxheve ekzistuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *