Rreth 27 mijë maturantë në të gjithë vendin zhvillojnë sot provimin e dytë të Maturës Shtetërore, atë të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Testimi mbahet në ambientet e shkollave të mesme që përmbushin kushtet e përcaktuara në rregullore.
Nxënësit duhet të paraqiten në qendrat e provimit në orën 08:30, ndërsa testi nis në orën 10:00 dhe përfundon në 12:30.
Ministria e Arsimit ka përcaktuar disa rregulla strikte: maturantët duhet të kenë me vete mjet identifikimi dhe të jenë të veshur në mënyrë të rregullt, preferohet me uniformë. Ndalohet përdorimi i celularëve, orëve inteligjente dhe pajisjeve të tjera teknologjike gjatë provimit. Testi duhet të plotësohet me stilolaps me një ngjyrë të vetme dhe nënshkruhet si në marrje, ashtu edhe në dorëzim.
Provimet e Maturës do të vijojnë me Matematikën më 17 qershor dhe më pas me lëndën me zgjedhje më 24 qershor.