Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në jug të Perusë, ku një autobus me pasagjerë ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një greminë të thellë, duke shkaktuar të paktën 37 viktima dhe 26 të plagosur, raportoi radioja lokale RPP.
Ngjarja ndodhi herët në mëngjes në autostradën Panamerikane, në provincën Arequipa.
Sipas kreut të shëndetësisë së provincës, Walter Oporto, 36 persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër ndërroi jetë në spital. Ai sqaroi se autobusi ishte përplasur fillimisht me një furgon dhe më pas kishte dalë nga rruga, duke rënë në greminë.
Autoritetet lokale të Arequipas bënë me dije se 26 persona po trajtohen në spital, mes tyre tre në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, një raport paraprak i policisë rrugore kombëtare konfirmon gjithashtu numrin e lartë të viktimave, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit janë në zhvillim.