Rreth 350 mësues të arsimit parashkollor në qarkun e Korçës janë prekur nga një ulje të ndjeshme të pagave, pas rritjes së tyre në korrik 2024. Sipas Leonard Trebickës, kryetarit të Sindikatës së Arsimit në Korçë, kjo ulje arrin deri në 10,000 lekë të rinj, duke u shndërruar në një problem të rëndësishëm për mësuesit.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për zgjidhjen e çështjes, deri tani nuk është marrë asnjë masë konkrete. Sindikata e Pavarur e Arsimit, së bashku me Federatën, ka zhvilluar dy takime me Ministrinë e Arsimit, por sipas Trebickës, nuk ka pasur rezultate të prekshme.
Kryetari i sindikatës ka theksuar se 31 marsi do të jetë afati i fundit për zgjidhjen e situatës. Pas këtij afati, sindikata do të ndërmarrë hapa ligjorë dhe do të nisë një grevë për të gjithë mësuesit në Shqipëri. Ky problem prek rreth 6,500 mësues në të gjithë vendin dhe ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha në sektorin arsimor./ Balkanweb.