Në këtë 8-Mars, ky është dedikimi më i bukur që një burrë shqiptar i ka bërë gruas së tij!

Gëzuar 8 Marsi, e dashura Ganimete…❤❤❤❤

E dashura ime, e shtrenjta dhe e shenjta gruaja ime, nëna e tre fëmijëve tanë të mrekullueshëm.
Sot është 8 Marsi, Dita dhe festa e gruas…
Por për mua, kur të kam ty pranë, çdoherë dhe çdo ditë është 8 Mars, sepse ty nuk të kam vetëm grua, bashkëshorte time dhe nënë të fëmijëve tanë, por ty të kam shpirt, të kam zemër, të kam xhan, ti je frymëmarrja ime, ti je fanari që më ndriçon ditët dhe netët e mia, që më ndriçon botën time të errët, ti je strehë e imja ku gjej gëzim dhe lumturi, ku gjej harmoni dhe dashuri, je një dorë e fortë burrërore që më mban fort dhe sigurt kur ecja ime dhe rrugëtimi im në jetë bëhet i vështirë dhe jo i sigurt.
E kujtoj ditën kur për herë të parë të takova.
Buzëqeshja jote simpatike, sytë e tu të ndritshëm, zëri yt i ëmbël dhe buzëputhja jote e parë, ishin fillimi i një dashurie që u bë historia më e bukur e jetës sime.
Me kalimin e viteve, ti qëndrove gjithmonë aty, në historinë e jetës time, duke më mësuar çfarë do të thotë të duash pa kushte, të përkushtohesh me shpirt dhe të jesh i fortë edhe kur jeta të vendos përballë sfidave të rënda dhe të vështira.
Ti je një bashkëshorte e mrekullueshme, je një nënë shumë e dashur, je një grua shumë e fortë, e fuqishme që i del përballë çdo sfide, çdo vështirësie apo çdo problemi që mund të shfaqet në jetën tënde. Je mbështetja ime më e fuqishme dhe më e madhe që kam.
Në çdo sakrificë që bën për mua dhe fëmijët tanë, në çdo moment kur e vendos lumturinë time dhe të fëmijëve tanë para lumturisë tënde, unë shoh këmbëngulësinë dhe forcën tënde të pashoqe.
E ndonjëherë më dhemb shpirti kur e di dhe e pranoj që nuk po mund të të falënderoj sa duhet dhe sa e meriton për gjithçka dhe çdo gjë që ke bërë dhe vazhdon të bësh për ne.
Prandaj sot, nesër dhe çdo ditë në vazhdim të falënderoj shumë, shumë nga zemra dhe shpirti.
Shumë faleminderit që ishe, je dhe derisa vdekja do të na ndajë, do vazhdosh të jesh gruaja ime, bashkëshortja ime besnike.
Të falënderoj shumë për dashurinë tënde të pakushtëzuar, për ngrohtësinë tënde dhe për gjithçka dhe çdo gjë që paraqet për mua dhe fëmijët tanë dhe familjen tonë të mrekullueshme.
Grua e dashur Ganimete, ti je dhurata ime më e bukur dhe më e çmuar që ma ka falur i Madhi Allah.
Faleminderimi i takon vetëm Allahut të Lartmadhuar dhe askujt tjetër.
Me dashuri të përjetshme, Samiu yt…❤❤❤❤

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *