Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka zhvilluar një takim të mbyllur me gazetarët, ku iu përgjigj disa prej çështjeve më me interes publik.I pyetur në lidhje me arrestimet e politikanëve, emrat e të cilëve mund të kenë dalë nga komunikimet në “Sky ECC”, Dumani ka thënë se një prej tyre është në qeli referuar ish-deputetit Jurgis Çyrbja.
Kreu i SPAK shtoi se nuk kanë në dispozicion të gjithë databazën e “Sky ECC”, por në vijimësi do të kërkojnë kode të tjera në bazë të hetimeve që ata kanë.
“Nuk është e vërtetë që s’ka arrestime të politikanëve, pasi kemi ish-deputetin Jurgis Çyrbja të arrestuar. Ne nuk kemi në dispozicion të gjithë databazën e “Sky ECC”, në vijimësi ne kërkojmë kode të tjera kur na dalin në bazë të hetimeve që kemi. Në bazë të rezultateve të deritanishme nuk na ka dalë lidhja direkte”.
Më tej, Dumani është shprehur se përpiqen që komunikimet në “Sky ECC” t’i lidhin me prova të tjera.