Shqiptarët po largohen nga vendi, dhe një pjesë e madhe e tyre po braktisin përfundimisht shtetësinë shqiptare. Gjatë vitit të kaluar, rreth 900 persona heqën dorë nga shtetësia shqiptare për të marrë pasaportën e një shteti evropian apo australian, duke shënuar një rritje prej 6.1% krahasuar me vitin 2023.
Në shumë shtete, si Gjermania, Austria, Holanda dhe Spanja, nuk lejohet dyfishtë shtetësia, dhe ky është një faktor kyç që shtyn shumë shqiptarë të heqin dorë nga pasaporta e vendit të tyre për të përfituar nga mundësitë më të mira ekonomike dhe sociale që ofrojnë këto shtete.
Sipas ekspertëve, motivet kryesore që shtyjnë shqiptarët të bëjnë këtë hap janë mundësitë për një punë më të mirë, arsim dhe shëndetësi më të zhvilluar. Të dhënat tregojnë se rreth 52% e emigrantëve janë të rinj, dhe ky fenomen ka sjellë jo vetëm tkurrje ekonomike, por edhe plakjen më të shpejtë të popullsisë. Në 20 vitet e fundit, mbi 521 mijë shqiptarë kanë marrë shtetësinë e një vendi të Bashkimit Europian.