Studimi: Fëmijët e lindur sot, do të jetojnë në kufijtë e apokalipsit!

Burimi: Live Science

Mesazhi është i qartë: nëse nuk veprojmë tani për të ulur emetimet, fëmijët e sotëm do të trashëgojnë një planet shumë më të rrezikshëm.

Fëmijët që lindin në ditët e sotme do të përballen me më shumë ekstreme klimatike se çdo brez tjetër në historinë moderne, paralajmëron një studim i publikuar në revistën Nature. Rreziqe si valët e të nxehtit, përmbytjet, thatësirat, zjarret, ciklonet dhe dështimet e të korrave do të jenë më të shpeshta dhe më të rënda, sidomos për fëmijët që rriten në varfëri apo në zona tropikale.

Studimi tregon se fëmijët e lindur në vitin 2020 kanë deri në 7 herë më shumë gjasa të përjetojnë ngjarje ekstreme klimatike krahasuar me ata të lindur në vitin 1960. Nëse temperaturat globale rriten me 2.7°C deri në fund të shekullit, mbi gjysma e tyre (52%) do të përjetojnë valë të rrezikshme të nxehti; kjo shifër rritet në 92% nëse ngrohja globale shkon në 3.5°C.

Në skenarët më të këqij, 29% e këtyre fëmijëve do të përballen me dështime të të korrave, ndërsa 14% me përmbytje të rënda. Fëmijët nga shtresat e varfra janë më të ekspozuar: 92% e tyre pritet të ndiejnë ndikimin e drejtpërdrejtë të këtyre krizave, përkundër 79% të fëmijëve nga mjedise më të pasura.Studiuesit përdorën të dhëna demografike dhe modele klimatike për të analizuar sa ngjarje ekstreme do të përjetojë çdo brez. “Të jetosh një jetë të paprecedentë do të thotë të përballesh me më shumë sfida klimatike sesa do të kishte ndodhur pa ndikimin njerëzor në klimë,” tha studiuesi Luke Grant.

Megjithatë, studimi nuk merr parasysh faktorë si fertiliteti, migrimi apo vdekshmëria, që mund ta përkeqësojnë më tej situatën. Studiueset Sara Gualdi dhe Raya Muttarak theksojnë se ky hendek mes brezash është alarmues dhe se drejtësia ndërbrezore duhet të jetë një nga shtyllat e tranzicionit drejt një bote me emetime zero.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *