Shterimi i rezervave nëntokësore, BE kërkon uljen e konsumit të ujit!

Komisioni Evropian do t’u bëjë thirrje shteteve anëtare që të ulin konsumin e ujit me të paktën 10% deri në vitin 2030, sipas një plani të ri që pritet të publikohet muajin e ardhshëm. Kjo është hera e parë që BE vendos një objektiv për efikasitetin e ujit, në përgjigje të shqetësimeve për shterimin e rezervave nëntokësore.

Objektivi nuk është detyrues, por vendet anëtare inkurajohen të vendosin kufij kombëtarë dhe të investojnë në përmirësimin e infrastrukturës dhe grumbullimin e të dhënave. Disa vende, si Spanja dhe Italia, tashmë kanë marrë masa për kufizimin e konsumit, përfshirë ndalimin sezonal të mbushjes së pishinave.

Komisionerja për Mjedisin, Jessica Rosvall, theksoi rëndësinë e përdorimit efikas të ujit edhe në jetën e përditshme. Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë për rrezikun real të mungesës së ujit në zona si Athina dhe Qipro, që po përballen me thatësira të përsëritura.

Plani thekson nevojën për investime në rrjetin e shpërndarjes, ku në disa vende humbet deri në 60% e ujit përmes rrjedhjeve. Komisioni vlerëson se duhen 23 miliardë euro në vit për përmirësimin e infrastrukturës, ndërsa Banka Evropiane e Investimeve ka planifikuar një paketë financimi prej 15 miliardë eurosh për vitet 2025–2027.

Aktualisht vetëm 2.4% e ujit riciklohet në BE, ndërsa plani synon rritjen e kësaj përqindjeje përmes teknologjive të ripërdorimit. Komisioni paralajmëron gjithashtu për rreziqe të mundshme konfliktesh brenda dhe mes shteteve për shkak të burimeve të kufizuara.

Teksti final i planit pritet të publikohet zyrtarisht muajin e ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *