Administrata Tatimore ka nisur një aksion verifikimi ndaj individëve që kanë blerë automjete luksoze me vlerë mbi 50 mijë euro, por që nuk rezultojnë të kenë të ardhura të deklaruara në përputhje me këto blerje. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, në një intervistë për Klan News, theksoi se qëllimi fillestar nuk është penalizimi, por ndërgjegjësimi dhe vetëdeklarimi vullnetar i të ardhurave përmes sistemit DIVA për vitin 2024.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të përfshirë që të korrigjojnë situatën e tyre para se të fillojnë kontrollet individuale dhe hetimet e drejtpërdrejta. Nëse pas kësaj faze zbulohet se të ardhurat nuk janë deklaruar më parë, individët do të përballen me tatimin mbi të ardhurat në masën 15%, si dhe me penalitete të tjera sipas Kodit të Procedurës Tatimore.
Deri tani janë identifikuar rreth 400 automjete luksoze, të tilla si Buggati, Mercedes-Benz, Lamborghini dhe Bentley, të regjistruara nga persona që nuk figurojnë si tatimpagues aktivë. Përqendrimi më i madh është në Tiranë. Në analizë do të përfshihen edhe rastet e dhurimeve, të cilat nuk do tatohen nëse vërtetohet se të ardhurat janë deklaruar dhe taksuar më parë. Procesi i verifikimit pritet të zgjasë 1-2 muaj.