Studimi i ri: Këto janë profesionet më depresive, që rrezikojnë seriozisht shëndetin mendor

Për shumë punonjës, çmimi emocional i pagës është i lartë. Një studim i ri në SHBA zbulon se punëtorët në disa industri përballen më shpesh me depresion dhe shqetësime të vazhdueshme mendore.

Të dhënat janë mbledhur nga më shumë se 500,000 punonjës amerikanë gjatë viteve 2015–2019. Nga këta, mbi 80,000 deklaruan se ishin diagnostikuar me depresion gjatë jetës së tyre. Gratë rezultuan dyfish më të prekura se burrat.

Industria që rezulton më stresuese? Shërbimet sociale dhe komunitare, të ndjekura nga gatimi dhe shërbimi ushqimor. Në listën e profesioneve me nivele të larta depresioni përfshihen edhe:

●Arti, argëtimi, sporti dhe media,

●Mbështetja në kujdesin shëndetësor,

●Shitja me pakicë,

●Arsimi dhe bibliotekat.

Në anën tjetër, punëtorët në ndërtim dhe miniera raportuan nivelet më të ulëta të depresionit gjatë jetës. Por, ky lajm nuk është aq pozitiv sa duket: këto industri renditen ndër më të rrezikshmet përsa i përket nivelit të vetëvrasjeve – një fenomen në rritje që nga viti 2000.

Ekspertët shpjegojnë se burrat, të cilët dominojnë këto industri, shpesh hezitojnë të kërkojnë ndihmë për problemet mendore, për shkak të stigmës apo mungesës së aksesit në zonat rurale.

Çfarë duhet të bëjnë punëdhënësit?

Dr. Manish Sapra nga Northwell Health e cilësoi studimin si “shumë domethënës” dhe theksoi se kompanitë duhet të krijojnë mbështetje të personalizuar për punonjësit, bazuar në sfidat specifike të industrisë së tyre.

Ai solli shembullin e sistemit shëndetësor Northwell, ku janë ndërtuar:

●Rrjete mbështetjeje mes kolegësh,

●Programe për ndihmën e parë psikologjike,

●Qasje të shpejtë në ndihmë përmes teknologjisë dixhitale.

Sipas Sapra-s, është thelbësore që ndihma të jetë e aksesueshme në kohën që punonjësit kanë mundësi ta përdorin — për shembull, mbrëmjeve për ata që punojnë ditën.

Për më tepër, kompanitë duhet të eliminojnë pengesat si kostoja, stigma dhe barriera gjuhësore që shpesh ndalojnë punonjësit të kërkojnë ndihmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *