Erion Veliaj do të vazhdojë të qëndrojë në qeli. Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e arrestit me burg ndaj kryebashkiakut të Tiranës, duke refuzuar kërkesën për një masë më të butë sigurie dhe garanci pasurore. Vendimi u dha nga gjyqtari Engert Pëllumbi, ndërsa Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallë.
Në të njëjtën seancë, për biznesmenin Elman Abule u la në fuqi arresti shtëpiak.
Avokatët e Veliajt kanë bërë tashmë rekurs në Gjykatën e Lartë, por nuk është caktuar ende një datë shqyrtimi.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit dhe po hetohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Nën hetim janë gjithashtu bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe pesë biznesmenë të tjerë.