Një vatër e murtajës së bagëtive të imta është zbuluar në fshatin Shuec të Devollit, duke çuar në asgjësimin e 150 krerëve në një fermë blegtorale. Lajmi është konfirmuar nga Demirali Latollari, përgjegjës i Shërbimit Veterinar në Qarkun e Korçës, i cili bëri me dije se gjendja e tufës ishte ndjekur prej disa ditësh nga specialistët në terren.
Pas ngordhjes së disa bagëtive dhe analizave të kryera, u mor vendimi për të izoluar fermën dhe për të ekzekutuar të gjithë krerët e tjerë, me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
Sipas Latollarit, ekziston rrezik që murtaja të përhapet edhe në fermat përreth, ndaj autoritetet veterinare janë në gadishmëri për të mbikëqyrur zonën dhe për të marrë masat e nevojshme.
Burime zyrtare bëjnë me dije se kjo është vatra e parë dhe e vetme e konfirmuar deri më tani jo vetëm në Bashkinë e Devollit, por në të gjithë Qarkun e Korçës. Autoritetet u bëjnë thirrje fermerëve të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë.