Shqipëria do të investojë afro 30 milionë euro për të blerë një nga radarët më të avancuar të mbikëqyrjes ajrore në botë, Ground Master 400 Alpha (GM400α). Marrëveshja është firmosur me kompaninë franceze Thales, e cila do ta dorëzojë pajisjen brenda 14 muajve.
Lajmi është konfirmuar në faqen zyrtare të Thales, ndërsa kontrata u diskutua gjatë panairit ajror të Parisit, në prani të Ministrit francez të Forcave të Armatosura Sébastien Lecornu dhe Ministrit shqiptar të Mbrojtjes Pirro Vengu.
Radari GM400α, i përdorur tashmë në operacione ushtarake reale, është i aftë të zbulojë kërcënime ajrore deri në 515 kilometra larg, duke përfshirë dronë që lëvizin ngadalë në lartësi të ulët. Ai përfaqëson një hap gjigant në modernizimin e mbrojtjes ajrore shqiptare, falë arkitekturës së tij plotësisht dixhitale dhe kapaciteteve të avancuara.
Thales ka trefishuar prodhimin e radarëve Ground Master, me mbi 270 njësi të shitura globalisht, duke përmbushur nevojat urgjente të sigurisë për vende të NATO-s dhe jo vetëm. Shqipëria i bashkohet kështu një klubi elitar vendesh që investojnë në teknologjinë më të fundit për sigurinë ajrore.