Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Tiranë, ku një 30-vjeçare nga Prishtina përfundoi në pranga pas një përplasjeje të dhunshme me Policinë e Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, rreth orës 03:50 të datës 21 qershor 2025, forcat “Shqiponja” ndaluan për kontroll një automjet që drejtohej nga shtetasi E. P., 23 vjeç. Testi i alkoolit tregoi se ai ishte nën ndikimin e tij (0.48 mg/l) dhe refuzoi të kryente testin e dytë, siç parashikohet nga procedurat standarde.
Pak minuta më pas, në vendngjarje mbërriti motra e tij, shtetasja A. P., 30 vjeçe, e cila jo vetëm që kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë, por rezultoi edhe vetë nën ndikimin e alkoolit (0.38 mg/l). Ajo u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, ku brenda dhomës së shoqërimit theu me grushte xhamin e dritares.
Në përfundim të veprimeve hetimore, 30-vjeçarja u arrestua në flagrancë për veprat penale:
Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik
Shkatërrimi i pronës
Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.