Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të zgjasin edhe për një vit tjetër gjendjen e emergjencës kombëtare që lidhet me situatën në Ballkanin Perëndimor.
Në njoftimin zyrtar të publikuar në Regjistrin Federal, theksohet se situata në rajon vazhdon të përbëjë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së. Sipas dokumentit, veprimet destabilizuese të individëve që cenojnë paqen dhe përpjekjet për stabilitet, vijojnë të pengojnë zhvillimin demokratik dhe integrimin euroatlantik të rajonit.
Gjendja e emergjencës u shpall fillimisht më 26 qershor 2001 nga Presidenti George W. Bush, si përgjigje ndaj dhunës dhe veprimeve që pengonin marrëveshjet ndërkombëtare në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë.