Shqipëria po përjeton një valë të nxehti afrikan me temperatura ekstremisht të larta që pritet të zgjasin deri në fundjavë. Sipas meteorologëve, kulmi i valës do të arrihet të premten, me temperatura që në disa zona mund të ngjiten deri në 45 gradë Celsius.
Meteorologu Hakil Osmani nga Meteoalb bën të ditur se në rang territori, maksimumet do të arrijnë deri në 39-40°C, ndërsa qarku i Elbasanit do të përjetojë temperaturat më të larta me 40°C. Po ashtu, Berati dhe Kopliku pritet të shënojnë deri në 39°C. Ai thekson se në diell, temperaturat ndihen edhe 4-5 gradë më të larta se vlerat e raportuara zyrtarisht.
“Territori shqiptar është nën ndikimin e valëve të të nxehtit afrikan, duke bërë që të kemi temperatura ekstremisht të larta. Vala pritet të zgjasë deri në fundjavë, ndërsa një rënie graduale e temperaturave parashikohet të shtunën dhe të dielën”, shprehet Osmani.
Ndërkohë, autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar, sidomos ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike. Gjithashtu këshillohet shmangia e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve të mesditës.