Ministria e Mbrojtjes ka raportuar 9 vatra zjarri në pesë bashki të vendit gjatë 24 orëve të fundit: Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Berat. Të gjitha vatrat janë neutralizuar me sukses, pa shkaktuar dëme në njerëz apo në banesa, përveç disa rasteve të izoluara.
Në gjashtë raste, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe barishte, duke shkaktuar djegien e rreth 0.5 hektarëve. Ndërsa në dy raste të veçanta, zjarri ka rënë në banesa – një në lagjen nr. 5 të Kavajës dhe një në fshatin Ishull Shëngjin, ku për shkak të një rrjedhjeje gazi, një grua është lënduar dhe është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës.
Gjithashtu, një automjet privat është përfshirë nga zjarri, duke pësuar dëme materiale.
Në operacionet për shuarjen e vatrave janë angazhuar 9 forca operacionale dhe 64 automjete zjarrfikëse.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme nuk parashikohen reshje, ndërsa rreziku nga zjarret mbetet i lartë në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier. Në qarqet e tjera, rreziku është vlerësuar si i moderuar.
Mbrojtja Civile, në të gjitha nivelet, vijon të qëndrojë në gatishmëri, ndërsa qytetarët ftohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta dhe të raportojnë çdo vatër zjarri në kohë reale pranë autoriteteve përkatëse.