Kryeministri Edi Rama ka kërkuar largimin e gjithë drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, përfshirë edhe Anuela Ristanin, të komanduar prej tij pas arrestimit të Erion Veliajt. Në një takim me dyer të mbyllura me deputetët e qarkut Tiranë dhe me drejtues bashkiakë, Rama ka kritikuar ashpër performancën e tyre dhe ka kërkuar zëvendësimin me burime të reja njerëzore, pa përcaktuar një afat për zgjedhjet.
Ky vendim konsiderohet politik, pasi ligjërisht largimi i nënkryetarëve kërkon ose dorëheqje vullnetare, ose shkarkim nga vetë kryetari i Bashkisë – që në këtë rast është ende zyrtarisht Erion Veliaj, ndonëse i ndaluar në paraburgimin e Durrësit. Çdo dorëheqje apo emërim i ri, në fund, duhet të firmoset prej tij.
Nga mbledhja e tensionuar, mësohet se Rama ka vlerësuar vetëm dy sektorë: Policinë Bashkiake dhe Inspektoriatin për Mbrojtjen e Territorit. Në vijim, ai ka prezantuar ngritjen e tre grupeve të posaçme për kontrollin e territorit në Tiranë, të drejtuara nga Belinda Balluku, Petrit Malaj dhe krerët e AZHT dhe AKPT.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu një reformë të thellë urbane në mandatin e katërt, ku priten ligje të reja për ndërtimin dhe ndalim i legalizimeve për ndërtimet me funksion biznesi pas vitit 2020.