Drejtuesi i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i është drejtuar publikisht kreut të “Nismës Thurje”, Endri Shabani, në lidhje me përplasjen për mandatin e deputetit. Në një konferencë për mediat, Lapaj deklaroi se mes tyre ka ekzistuar një marrëveshje e shkruar që mandatin e vetëm të koalicionit ta marrë kandidati më i votuar nga lista e hapur.
Lapaj theksoi se angazhimi i tij për të mos marrë mandatin nëse koalicioni siguronte vetëm një deputet ishte një zotim personal ndaj votuesve, dhe jo pjesë e marrëveshjes me Shabanin. Ai shtoi se është gati të japë dorëheqjen, bashkë me Shabanin dhe Pano Sokon, për t’ia lënë mandatin Greta Ambelit – sipas tij, gruaja më e votuar në Tiranë dhe kandidatë e “Shqipëria Bëhet”.
Lapaj kritikoi faktin që Shabani nuk ka pranuar të takohet për të zgjidhur situatën, ndërsa sinjalizoi se marrëveshja po cënohet pasi një prej emrave të listës së mbyllur është tërhequr nga zotimi për ta respektuar.