Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Qendrën për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që u shërben universiteteve dhe sipërmarrjes, ku mori pjesë në prezantimin e një start up-i inovativ për financimin e sektorit të ndërtimit.
Në fjalën e tij, Rama u ndal tek sfidat që lidhen me zbatimin real të projekteve ndërtimore dhe mungesën e besueshmërisë që shpesh haset mes projektit të miratuar dhe ndërtimit përfundimtar.
Ai paralajmëroi se arkitektët nuk do të jenë më thjesht autorë të planeve, por do të mbajnë përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin besnik të projekteve të tyre:
“Nuk mund të vijë momenti që të merret leja sipas një projekti dhe të ndërtohet diçka që as arkitekti vetë nuk e njeh më. Kjo duhet të marrë fund,” tha Rama.
Sipas tij, besueshmëria e projektit do të bëhet një element kyç për tërheqjen e investimeve, ndaj po shqyrtohen masa të reja ligjore që forcojnë rolin e arkitektit si garant i integritetit të çdo ndërtimi.
Rama theksoi se kjo nuk është vetëm çështje ligji, por edhe ndërgjegjësimi nga ana e ndërtuesve dhe investitorëve për të hyrë në një treg të ri financiar që mund të bëhet burim i rëndësishëm zhvillimi.