Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se aktualisht janë shpallur mbi 5500 vende të lira pune në Platformën Kombëtare të Punësimit – puna.gov.al.
Platforma u vjen në ndihmë punëkërkuesve, të cilët mund të plotësojnë online dosjen e tyre profesionale dhe të aplikojnë për vendin më të përshtatshëm. Në të njëjtën kohë, punëdhënësit mund të publikojnë vendet e lira të punës për të gjetur kandidatin ideal.
Sipas Gonxhjes, pozicionet e shpallura përfshijnë të gjitha nivelet arsimore dhe janë të shpërndara në sektorë të ndryshëm si:
Hoteleri-turizëm
Industria nxjerrëse
Prodhime artizanale
Arsimi dhe formimi profesional
Industria ushqimore
Administrata publike
Ndërtimi
Aksesi në platformë bëhet përmes kredencialeve të e-Albania.
Ministri u bëri thirrje veçanërisht të rinjve që të aplikojnë, ndërsa theksoi se objektivi për vitin 2025 është ulja e papunësisë në 9.8%, për herë të parë me një shifër njëshifrore në tri dekadat e fundit.