Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka propozuar një program të ri testues, i cili parashikon që disa aplikantë për viza turistike dhe biznesi të dorëzojnë një garanci financiare prej 5.000 deri në 15.000 dollarë përpara se të hyjnë në SHBA.
Ky program 12-mujor do të zbatohet për shtetasit e vendeve që konsiderohen me risk të lartë për qëndrime të paligjshme pas skadimit të vizës dhe me mangësi në sistemet e brendshme të kontrollit të dokumenteve. Garancia synon të mbrojë qeverinë amerikane nga shkeljet e kushteve të vizës nga vizitorët.
Masat e reja janë pjesë e një qasjeje më të ashpër të administratës Trump ndaj procesit të vizave. Kohët e fundit, DASH njoftoi se shumë aplikantë për rinovimin e vizave do t’i nënshtrohen intervistave të detyrueshme, si dhe kërkesa që aplikantët për Lotarinë Amerikane të kenë pasaportë të vlefshme nga vendi i tyre.
Programi i ri nuk do të aplikohet për vendet pjesëmarrëse në Programin e Heqjes së Vizave (Visa Waiver Program), ndërsa për të tjerët do të vlerësohet në bazë të rrethanave individuale.
Edhe pse propozime të ngjashme janë bërë në të kaluarën, ato nuk janë zbatuar për shkak të kompleksitetit të procesit dhe shqetësimeve për perceptimin publik. Megjithatë, DASH thekson se ky qëndrim nuk bazohej në prova konkrete dhe se është koha për të testuar një qasje të re. Programi pritet të hyjë në fuqi brenda 15 ditëve nga publikimi në Regjistrin Federal.