Një studim i ri nga shkencëtarët izraelitë tregon se ndotja e ajrit, veçanërisht ajo e shkaktuar nga shkarkimet e automjeteve dhe fabrikat e mëdha, mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e autizmit te fëmijët. Ekspozimi i grave shtatzëna ndaj ndotjes së ajrit gjithashtu duket se ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin neurologjik të fetusit.
Studimi, i publikuar në revistën Brain Medicine në nëntor, zbulon se grimcat e imëta të ajrit (PM2.5) dhe oksidi i azotit, të prodhuara gjatë djegies së karburantit, mund të arrijnë në placentë dhe të ndikojnë në zhvillimin e trurit të foshnjës.
“Ekspozimi i grave shtatzëna ndaj ajrit të ndotur mund të ndikojë negativisht në sistemin imunitar dhe të rrisë rrezikun për çrregullime neurologjike, duke përfshirë autizmin,” shpjegon Haitham Amal, autori kryesor i studimit dhe studiues në Universitetin Hebraik të Jerusalemit.
Sipas Amal, koha e ekspozimit është vendimtare. Ekspozimi ndaj ndotësve gjatë shtatzënisë dhe periudhës së hershme pas lindjes përbën një rrezik të konsiderueshëm për zhvillimin e çrregullimeve autike (ASD).
Përveç PM2.5 dhe oksidit të azotit, studimi identifikon edhe ndotës të tjerë të rrezikshëm, si benzeni, i cili gjendet në gazrat e automjeteve, procese industriale dhe tymin e duhanit. Hulumtimet e mëparshme lidhin ndotjen e ajrit me rritjen e riskut për astmën, paralizën cerebrale dhe probleme të tjera të shëndetit mendor te fëmijët.
Shkencëtarët bëjnë thirrje për masa të menjëhershme mbrojtëse për gratë shtatzëna, veçanërisht në zonat me nivele të larta ndotjeje, për të ulur rrezikun për të porsalindurit.