Zbulohet një varr romak në Bulqizë, i pari i këtij lloji në Shqipëri

Instituti i Arkeologjisë ka njoftuar zbulimin e një varri monumental unik të periudhës romake në fshatin Strikcan të Bulqizës, gjatë projektit kërkimor “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, të drejtuar nga akademiku Adem Bunguri dhe Msc. Erikson Nikolli.

Monumenti, me përmasa rreth 9 x 6 metra dhe dhomë funerare 2.4 m të lartë, përbëhet nga tre ambiente: dhoma e varrimit, paradhoma dhe një shkallare monumentale me dekorime në stuko. Struktura sugjeron se ka qenë një mauzoleum.

Zbulimi më i veçantë lidhet me një mbishkrim bilingual kushtuar të ndjerit Gelliano dhe perëndisë Jupiter – i pari i këtij lloji i gjetur ndonjëherë në Dibër. Afër tij është gjetur edhe një tjetër mbishkrim funerar, ende në analizë.

Edhe pse i grabitur në lashtësi, varri ruante inventar të pasur: enë qelqi, krehër kocke, thika dhe fragmente tekstilesh të thurura me fije ari. Materialet ndërtimore të sjella nga gurore të largëta, teknika e punimit dhe të dhënat epigrafike e datojnë monumentin në shekujt III–IV e.s.

Ky zbulim pritet të pasurojë më tej hartën arkeologjike të trevave shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *