Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim bashkëpronarët e spitalit privat “Sante Plus”, që ndodhet në zonën e Zogut të Zi. Sipas autoriteteve, një shtetas turk dhe një grua shqiptare kanë lënë territorin e Shqipërisë dhe ndaj tyre është lëshuar urdhër kërkimi.
Spitali “Sante Plus” është denoncuar prej vitesh në media për raste operacionesh që kanë rrezikuar jetën e pacientëve.
Spitali është hapur në Shqipëri që prej vitit 2010. Aksionerët e tij janë shtetasit turq Bilal Kara dhe Behçet Kara, të cilët zotërojnë respektivisht nga 50% të kapitalit.
Megjithatë, në kërkim është shpallur edhe Geriana Arapi, e cila më parë ka mbajtur detyrën e administratores së subjektit, por nuk rezulton si bashkëaksionere në dokumente.
Shkeljet e zbuluara:
Nga hetimet dhe kontrollet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, është konstatuar se:
-Subjekti nuk ka deklaruar fitime mbi 1 milion euro gjatë periudhës 2024–2025.
-Shërbimet spitalore ofroheshin me produkte të ndaluara për përdorim.
-Punonin shtetas të pasiguruar.
Në këto kushte, spitali është bllokuar menjëherë dhe është arrestuar administratori aktual, shtetasi Edmond Zaja.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan:
100 blloqe me mandate të pafiskalizuara;
27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara;
6 njësi kompjuterike.
Autoritetet shtojnë se në spital përdoreshin edhe medikamente të kontrabanduara, të ndaluara për përdorim, ndërsa ishin punësuar 5 shtetas pa sigurime shoqërore.