Një ngarkesë me speca të kuq, e importuar nga Shqipëria, është tërhequr urgjentisht nga tregu në Slloveni pasi analizat laboratorike zbuluan nivele të larta pesticidesh.
Autoritetet sllovene njoftuan se tek specat e shpërndarë nga kompania “Geaprodukt”, janë gjetur mbetje të substancave si acetamiprid, formetanate dhe flonicamid, të cilat kanë tejkaluar kufijtë e lejuar.
Produktet e dyshuara janë hedhur në treg nga data 24 gusht deri më 4 shtator, të paketuara në kuti kartoni dhe plastike. Për këtë arsye, kompania importuese ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme të tyre.
Konsumatorëve u është kërkuar që: të kthejnë specat në pikat e shitjes, ose nëse kjo nuk është e mundur, t’i asgjësojnë ato.
Gjithashtu, është këshilluar që personat që kanë pasur kontakt me produktin të pastrojnë duart me kujdes dhe, në rast shfaqjeje të shqetësimeve si të përziera apo probleme me tretjen, të kontaktojnë mjekun.