Nisi sot viti i ri shkollor, 26.500 fëmijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës

Nisi sot viti i ri shkollor për rreth 345 mijë nxënës në të gjithë vendin. Në klasën e parë ulen për herë të parë 26,500 fëmijë, më pak se një vit më parë, kur numri ishte rreth 28 mijë.

Sipas Ministres së Arsimit, 236 mijë nxënës do të përfitojnë tekste falas, ndërsa ky vit sjell gjithashtu 30 shkolla të reja ose të rehabilituara, 340 laboratorë smart, kurrikulë të re në klasat e katërta, si dhe zgjerim të rrjetit të oficerëve të sigurisë dhe punonjësve socialë.

Në mbështetje të nxënësve dhe mësuesve, është parashikuar edhe transport falas për 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues, si dhe 3,500 bursa për ata që kanë nevojë për ndihmë financiare. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar fëmijëve me aftësi të kufizuara, për të cilët janë angazhuar 2,260 mësues ndihmës, 150 më shumë se një vit më parë.

Megjithatë, viti i ri shkollor shënohet edhe nga një rënia e ndjeshme e numrit të nxënësve, sidomos në qarqet Korçë, Gjirokastër dhe Shkodër, ku disa shkolla rrezikojnë mbylljen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *