Sepsa, një infeksion i rëndë që ndikon në reagimin e sistemit imunitar, është shkaku kryesor i vdekjeve tek fëmijët në mbarë botën.
Sipas organizatës Sepsis Alliance, çdo vit më shumë se 3.4 milionë fëmijë humbasin jetën për shkak të sepsës, dhe 85% e këtyre rasteve ndodhin para moshës 5-vjeçare.
Mjekët e konsiderojnë sepsën si një sëmundje të vështirë për t’u diagnostikuar dhe trajtuar. Rreth 10% e rasteve humbasin në dhomat e urgjencës, ndërsa fëmijët që shtrohen në spital qëndrojnë mesatarisht për më shumë se një muaj.
Profesori Elliot Long nga Murdoch Children’s Research Institute në Melburn të Australisë, thotë se shumë prindër nuk janë të ndërgjegjshëm për sa e zakonshme dhe e rrezikshme është kjo gjendje.
“Sepsa ndodh kur sistemi imunitar reagon në mënyrë jonormale ndaj një infeksioni — ose tepër fort, ose shumë dobët,” – shpjegon ai.
“Nëse reagimi është i dobët, infeksioni përhapet në mënyrë të rrezikshme. Nëse është i tepruar, vetë reagimi i trupit dëmton organet jetike.”
Profesori Long, i cili këtë vit ka marrë një grant prej 5 milionë dollarësh për kërkime mbi trajtimin e sepsës në Australi dhe Zelandën e Re, thekson se simptomat shpesh janë të fshehta dhe ngatërrohen me infeksione të zakonshme virale tek fëmijët.
“Paradoksi është se sepsa në fazat e vona është e lehtë për t’u dalluar, por trajtimi është pak efektiv.
Ndërsa në fazat e hershme është shumë e vështirë për t’u zbuluar — por pikërisht atëherë trajtimi jep rezultatet më të mira.”
Simptomat kryesore të sepsës
Për ta bërë më të lehtë njohjen e shenjave paralajmëruese, organizata Sepsis Alliance përdor shkurtimin T.I.M.E.:
T = Temperatura – më e lartë ose më e ulët se normalja (ethe ose hipotermi)
I = Infeksioni – shenja të një infeksioni (si prerje, pneumoni, infeksion urinar etj.)
M = Ndryshime mendore – përgjumje, konfuzion, vështirësi në zgjim
E = Gjendje shumë e rëndë – dhimbje ekstreme, vështirësi në frymëmarrje, ndjesi ankthi se “diçka po shkon keq”
Të tjera shenja që duhen marrë seriozisht janë: tension i ulët, lëkurë e ftohtë dhe e lagësht, temperaturë e lartë, dhimbje e fortë, vështirësi në frymëmarrje dhe shenja të mosfunksionimit të organeve.
Pse zbulimi i hershëm është jetik
Zbulimi dhe trajtimi i hershëm janë vendimtarë për të shmangur dëmtimin e organeve si zemra, mëlçia, truri apo veshkat.
Në disa raste, mjekët përdorin antibiotikë agresivë për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
Aktualisht, trajtimet janë mbështetëse, që do të thotë se fëmija trajtohet me antibiotikë, oksigjen dhe lëngje, ndërsa mjekët ndihmojnë trupin të rikthehet në funksion normal.
Në raste më të rënda, fëmijët lidhen me ventilatorë për të ndihmuar frymëmarrjen.
“Qëllimi ynë është të zhvillojmë trajtime që nuk thjesht mbështesin trupin, por që ndikojnë pozitivisht në reagimin imunitar,” – shton profesori Long.
Pasojat afatgjata dhe roli i prindërve
Edhe pse shumë fëmijë e kalojnë sepsën, ajo mund të lërë pasoja afatgjata në kujtesë, emocione dhe zhvillim motorik.
Sipas Long, edhe prindërit përjetojnë stres të rëndë emocional, pasi shpesh përballen me frikën e humbjes së fëmijës.
Për këtë arsye, ai thekson rëndësinë e dëgjimit të prindërve:
“Nëse prindërit thonë se fëmija i tyre po reagon ndryshe nga zakonisht ndaj një infeksioni, ose është më i sëmurë se kurrë më parë, ky është një sinjal alarmi që duhet marrë seriozisht.”
Në shumicën e rasteve, sepsa prek fëmijët nën 5 vjeç, veçanërisht ata nën 1 vjeç, të cilët nuk mund ta shprehin dhimbjen apo simptomat e tyre.
“Rregulli i Martha-s” – e drejta e prindërve për të kërkuar ndihmë shtesë
Në disa vende është vendosur “Martha’s Rule”, që u jep prindërve të drejtën të kërkojnë menjëherë një vlerësim të dytë mjekësor nëse mendojnë se fëmija i tyre po përkeqësohet.
“Ky rregull u jep prindërve mundësinë të anashkalojnë procedurat lokale dhe të kërkojnë ndihmë urgjente për fëmijën e tyre — duke shpëtuar jetë,” përfundon Long.