Sot, më 8 tetor 2025, është dita e fundit e aplikimeve për postin e drejtuesit të ri të SPAK-ut. Deri tani kanë paraqitur kandidaturat e tyre prokurorët Elvin Gogaj, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho dhe Adnan Xholi.
Pas përfundimit të afatit, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka deri në 10 ditë kohë për të verifikuar nëse kandidatët plotësojnë kriteret ligjore. Më pas, lista e kualifikuar do t’i paraqitet mbledhjes plenare për miratim.
Zgjedhja e kreut të ri të SPAK-ut, që do të pasojë Altin Dumanin pas përfundimit të mandatit më 18 dhjetor, do të bëhet me votim të hapur dhe nominal. Fitues do të shpallet kandidati që merr më shumë vota, ndërsa në rast barazie zhvillohet një raund i dytë votimi.