Një grup prokurorësh nga i gjithë vendi i janë drejtuar zyrtarisht Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kërkuar thirrjen urgjente të Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve.
Kërkesa vjen vetëm dy ditë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, një ngjarje që ka tronditur sistemin e drejtësisë dhe ka ngritur shqetësime serioze mbi mungesën e sigurisë në institucionet gjyqësore.
Në letrën drejtuar Çelës, prokurorët theksojnë se “situata aktuale kërkon reflektim të menjëhershëm institucional dhe vendimmarrje kolektive, në mënyrë që magjistratët të mos jenë më të ekspozuar ndaj riskut fizik apo institucional gjatë ushtrimit të detyrës”.
Ata kërkojnë që në mbledhje të diskutohen masa konkrete për forcimin e sigurisë fizike në ambientet e prokurorive, përmirësimin e kushteve të transportit dhe mbështetjen institucionale për lëvizjet e prokurorëve. Po ashtu, kërkohet përputhja e standardeve të sigurisë me ato të Bashkimit Evropian dhe udhëzimet e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ).
Sipas prokurorëve, synimi i mbledhjes është garantimi i kushteve minimale të sigurisë, konfidencialitetit dhe dinjitetit për magjistratët në kryerjen e funksioneve të tyre kushtetuese.