Rritje shqetësuese e shtrimeve në kardiologji dhe psikiatri. Çfarë po ndodh me shqiptarët?

Tendencë shqetësuese po regjistrohet në spitalet shqiptare: edhe pse numri total i shtrimeve për periudhën janar-gusht 2025 ka rënë me 3% krahasuar me vitin e kaluar, disa shërbime të specializuara shënojnë rritje të ndjeshme, sidomos kardiologjia dhe psikiatria.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në repartet e kardiologjisë janë trajtuar 7,543 pacientë, nga 6,419 një vit më parë, një rritje prej 17.5%. Mjekët e lidhin këtë trend me plakjen e popullsisë, nivelin e lartë të ndotjes, mungesën e aktivitetit fizik dhe kequshqyerjen, si dhe vonesën e diagnostikimeve në rrethe.

Edhe shërbimi psikiatrik ka regjistruar rritje dramatike: 1,129 pacientë janë trajtuar gjatë periudhës janar-gusht, një rritje 36% krahasuar me vitin e kaluar. Mjekët paralajmërojnë se mungesa e strategjive kombëtare për trajtimin ambulator të përdoruesve të substancave, alkoolit dhe drogërave kontribuon në këtë rritje dhe pasojat e saj shfaqen në dhunë sociale dhe probleme familjare.

Përtej këtyre shërbimeve, rritje është shënuar edhe në dializë, ndërhyrje për katarakt dhe depistime për kancerin e gjirit, ndërsa trajtimet me radioterapi kanë shënuar një ulje prej 4.5%.

Situata thekson nevojën urgjente për politika shëndetësore më efikase dhe strategji kombëtare për parandalimin e sëmundjeve kardiake dhe psikiatrike, duke u fokusuar tek diagnoza e hershme dhe trajtimi ambulator.

Përshtatur nga Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *