Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, si person nën hetim për “shkelje të barazisë në tendera”.
Burime për News24 bëjnë me dije se Balluku është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën, me një fletëthirrje të firmosur nga prokurori i posaçëm Dritan Prençi. Dokumenti i është dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe parashikon që ajo të jetë e shoqëruar nga një avokat – çka nënkupton se mund t’i komunikohet akuzë penale.
Në këtë mënyrë, SPAK pritet ta ndjekë penalisht pa kërkesë autorizimi në Kuvend, duke shmangur procedurat e masës së sigurisë.
Burime pranë institucionit konfirmojnë se ndaj Ballukut janë depozituar disa kallëzime penale, mes të cilave edhe ai që lidhet me tunelin e Llogarasë, ku vlera e kontratës u rrit me mbi 50 milionë euro pas tenderimit.
Zëvendëskryeministrja nuk ka reaguar ende publikisht, ndërsa mbetet e paqartë nëse do t’i përgjigjet thirrjes së SPAK dhe nëse do të vijojë detyrën në qeveri apo do të japë dorëheqjen.
Belinda Balluku mban postin e zëvendëskryeministres që prej korrikut 2022 dhe të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej janarit 2019. Në zgjedhjet e fundit ajo drejtoi politikisht qarkun Fier, ku Partia Socialiste siguroi 12 mandate.