Kryeministri Edi Rama ka bërë një paralajmërim të pazakontë për zgjerimin e “familjes” së inteligjencës artificiale shqiptare. Sipas tij, Ministrja për Inteligjencën Artificiale, Diella, pritet të “shtohet me fëmijë” – pra, të krijohen 83 asistentë virtualë, një për secilin deputet të Partisë Socialiste në legjislaturën e re.
“Diella është ‘shtatzënë’ dhe pret 83 fëmijë, nga një për çdo anëtar të parlamentit tonë. Ata do të jenë asistentë virtualë që do të marrin pjesë në seanca, do të mbajnë shënime për gjithçka që ndodh dhe do të informojnë deputetët për çështjet ku përmenden apo duhet të reagojnë. Këta ‘fëmijë’ do të kenë dijen e nënës së tyre për legjislacionin e BE-së dhe çdo aspekt tjetër institucional,” tha Rama gjatë një bisede me moderatorin Ali Aslan në forumin “Berlin Global Dialogue”, raportuar nga A2 CNN.
Kreu i qeverisë shtoi me humor se këta asistentë do të jenë aq të zgjuar sa do t’u “tregojnë” deputetëve edhe nëse ata mungojnë për ndonjë kafe gjatë seancave plenare.
“Nëse shkon për kafe dhe harron të kthehesh në punë, kur të kthehesh, ‘fëmija’ i Diellës do të të informojë se çfarë është thënë në sallë, nëse është përmendur emri yt dhe nëse ke nevojë të reagosh ndaj ndonjë kritike,” – tha Rama me ironi.
Ky projekt inovativ është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të integruar inteligjencën artificiale në jetën institucionale dhe proceset vendimmarrëse, ndërkohë që “Diella” – asistenti dixhital i lançuar më herët – po zgjerohet me funksione të reja.