Kryeministri Edi Rama njoftoi në podcastin “Flasim” se Shqipëria po avancon drejt futjes së identitetit digjital. Sipas tij, koncesioni për kartat e identitetit ka përfunduar dhe tashmë funksionon kompania shtetërore Identitek, e cila prodhon karta më të mira dhe më të lira.
Qëllimi kryesor është kalimi i kartës së identitetit në version digjital, i përdorshëm në telefon dhe kompjuter si portofol digjital. Rama bëri me dije se Shqipëria synon të ketë gati identitetin digjital për të gjithë qytetarët në fillim të vitit 2026, një vit përpara afatit të vendosur nga Bashkimi Europian (2027).
Ky hap pritet të lehtësojë shërbimet online dhe të modernizojë administratën shqiptare, duke e bërë identitetin më të sigurt dhe funksional për qytetarët.