Policia greke ka zbuluar 135 kg e 880 gram marijuanë, të hedhura nga skafi që u nis të enjten mbrëma nga Saranda dhe u mbyt në ngushticën mes Korfuzit dhe Igumenicës.
Pas ndalimit të drejtuesit të mjetit, Edmond Musa, 50 vjeç nga Saranda, i njohur si “Çimoni”, autoritetet greke gjetën fillimisht 79.7 kg marijuanë brenda skafit me ndihmën e një zhytësi privat. Një ditë më vonë, në zonën “Voda” të Sajadhës, u zbuluan edhe 56.1 kg të tjera droge.
Vlera e përgjithshme e lëndës narkotike vlerësohet në rreth 400 mijë euro.
Musa akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe hyrje të paligjshme në Greqi, ndërsa janë sekuestruar skafi dhe një telefon celular.
Ndërkohë, policia e Sarandës ka nisur hetimet paralele për zbardhjen e plotë të ngjarjes.