Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali. Flavio Saraci, 19-vjeçar nga Masotti, Serravalle Pistoiese, u gjet i pajetë në dhomën e tij nga vëllai i vogël më 24 tetor.
I riu, i njohur për pasionin ndaj sportit dhe jetën aktive, nuk kishte probleme të njohura shëndetësore. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të urgjencës dhe dërgimit në spitalin San Jacopo, mjekët nuk arritën ta shpëtonin.
Shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë, ndërsa autoritetet italiane do të kryejnë autopsinë për të përcaktuar arsyen e saktë të humbjes së tij tragjike.
Flavio ishte diplomuar një vit më parë në Institutin “Filippo Pacini” në Pistoia dhe njihej si një djalë i qetë dhe i respektuar. Komuniteti shqiptar dhe miqtë e tij janë të tronditur nga kjo humbje e papritur.