Belinda Balluku zyrtarisht e pandehur për Tunelin e Llogarasë

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, është marrë sot zyrtarisht e pandehur nga SPAK në lidhje me procedurat e tenderimit për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend.

Hetimi lidhet me tenderin 190 milionë euro, i cili u anulua në vitin 2021 pavarësisht se kompania shqiptare Gjoka Construksion kishte ofruar çmimin më të ulët — 140 milionë euro. Pas anulimit, Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar nga Balluku, rihapi garën vetëm katër muaj më vonë, duke ia dhënë kontratën një kompanie turke, e cila sipas hetimeve ishte krijuar posaçërisht për këtë projekt dhe kishte kapital minimal.

Sipas dokumenteve të publikuara në emisionin “Në Shënjestër” të Klodiana Lalës, kjo kompani shërbente si mbulesë për “Gjoka Construksion”, që në fakt ka kryer punimet si nënkontraktore. Në dosje përfshihen gjithashtu ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, dhe përfaqësues të kompanive të huaja të përfshira në proces, të cilët dyshohet se kanë manipuluar dokumente për të plotësuar kriteret e tenderit.

SPAK po vijon hetimet për të përcaktuar shkallën e përgjegjësisë së secilit prej personave të përfshirë në këtë aferë të dyshuar korruptive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *