Meta po përgatit një ndryshim të rëndësishëm për WhatsApp-in, që do të lejojë komunikimin edhe me përdorues jashtë platformës. Sipas “Android Central”, kompania po teston funksionin e ri të quajtur “Third-party chats”, i cili do t’u mundësojë përdoruesve të shkëmbejnë mesazhe, foto, video, zëra dhe dokumente me aplikacione të tjera të mesazheve.
Ky opsion, që aktualisht testohet në versionin beta për Android (2.25.33.8), do t’u japë përdoruesve mundësinë të zgjedhin nëse duan që këto biseda të shfaqen në listën kryesore apo në një seksion të veçantë. Për momentin, në testim po merr pjesë vetëm aplikacioni BirdyChat.
Megjithatë, disa funksione si “stikerat”, “statuset” dhe mesazhet që zhduken nuk do të jenë të disponueshme në komunikimin ndër-aplikacion. Edhe bllokimi i kontakteve mund të mos funksionojë njësoj nëse aplikacioni tjetër nuk e mbështet këtë veçori.
Ky hap lidhet me rregulloren e re të Bashkimit Evropian, Digital Markets Act (DMA), që detyron kompanitë e mëdha të krijojnë ndërveprim mes platformave të ndryshme. Meta ka deklaruar se po punon për ta zbatuar këtë sistem duke ruajtur standardet e privatësisë dhe enkriptimit të WhatsApp-it, por ende nuk ka dhënë një datë të saktë për lançimin e funksionit.