Partia Demokratike do të nisë të hënën në orën 18:00 një seri protestash para Kryeministrisë, me kërkesën kryesore largimin e kryeministrit Edi Rama. Tubimi zhvillohet nën moton “Për familjen, për ekonominë, për demokracinë”.
Protestat u paralajmëruan prej Sali Berishës, i përjashtuar së fundi nga Parlamenti, i cili i ka cilësuar si “foltorja e qytetarëve” për të artikuluar akuzat që, sipas tij, opozita nuk mund t’i shprehë në Kuvend.
Protesta do të mbahet çdo të hënë dhe pritet të ketë format të ngjashëm me tubimet para Bashkisë së Tiranës. Ajo e së hënës do të zgjasë më pak se dy orë, me pjesëmarrje të strukturave të PD-së në Tiranë dhe me deputetë e qytetarë si folës.