“Korrupsion aktiv”, SPAK çon për gjykim ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë

Gjykata e Posaçme ka vendosur dërgimin për gjykim të çështjes penale ndaj ish-kryetares së komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, dhe ndërtuesit Rr. G., të dyshuar për vepra korrupsioni. Vendimi u mor gjatë seancës paraprake të 25 nëntorit 2025, nën drejtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Sipas SPAK, kërkesa për kalimin e çështjes në gjykim është depozituar më 29 shtator 2025. Prokuroria akuzon ndërtuesin për “korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa ish-kryetarja Islamaj për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të dyja të parashikuara nga dispozitat përkatëse të Kodit Penal.

Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë duke vendosur që procesi të zhvillohet nga një trup tjetër gjykues i Shkallës së Parë të Gjykatës së Posaçme. Vendimi është përfundimtar dhe i paankimueshëm.

Gjatë hetimit, SPAK konkludoi se Islamaj dyshohet të ketë favorizuar ndërtimin e një ure nëpërmjet një procedure tenderimi, në mënyrë që kjo vepër publike të përfitonte familjarët e saj. Hetuesit vlerësojnë se ajo ka kërkuar ndërhyrjen e ndërtuesit Rr. G. për ngritjen e urës mbi përroin pranë banesës së motrës së saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *