Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron për përmbytje: Reshje intensive dhe rritje të niveleve të lumenjve në disa zona të vendit

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka paralajmëruar për rrezik të shtuar nga përmbytjet për shkak të reshjeve intensive që pritet të prekin vendin gjatë orëve në vijim dhe ditëve në vazhdim.


Sipas parashikimit zyrtar, gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme priten reshje me intensitet të lartë, kryesisht në zonat veriore dhe qendrore. Qarqet Shkodër dhe Kukës paraqiten si më problematiket, ku ekziston rreziku për vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si edhe për rrëshqitje dherash.

Në zonat urbane të këtyre qarqeve mund të shfaqen gjithashtu përmbytje të lokalizuara, veçanërisht aty ku rrjeti i kanalizimeve është i mbingarkuar.


Për periudhën 3–7 janar, pritet vijim i reshjeve intensive, kryesisht në veri dhe jug të vendit, çka mund të sjellë rritje të ndjeshme të prurjeve dhe niveleve ujore në basenet e lumenjve Drin-Bunë, Mat, Shkumbin dhe Vjosë, si edhe në Liqenin e Shkodrës.


Gjatë dy ditëve të ardhshme, në Shkodër dhe Kukës parashikohen reshje intensive deri shumë intensive. Ndërkohë, në qarqet Lezhë, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Elbasan reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive, të shoqëruara me shtrëngata. Në pjesën tjetër të vendit reshjet pritet të jenë të dobëta deri mesatare, ndërsa në zonat malore dhe në Alpe parashikohet dëborë.


Sa i përket temperaturave për diitën e sotme, ato do të variojnë nga 10 deri në 16 gradë Celsius në bregdet, 7 deri në 15 gradë në zonat e ulëta dhe 3 deri në 11 gradë në zonat malore. Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë, veçanërisht në zonat bregdetare.


Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me risk dhe të ndjekin njoftimet dhe udhëzimet e strukturave lokale për menaxhimin e situatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *