Kushtet e paqëndrueshme atmosferike kanë ndikuar në operimet ajrore në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës gjatë 24 orëve të fundit.
Për shkak të fenomeneve meteorologjike të regjistruara mbi dhe në afërsi të aeroportit, dy fluturime në ardhje, të planifikuara për mbrëmjen e datës 5, janë detyruar të devijojnë drejt Barit, pasi nuk ishte e mundur të kryhej ulja në kushte të sigurta.
Edhe gjatë ditës së sotme janë evidentuar fenomene meteorologjike të lokalizuara në zonat përreth aeroportit. Sipas njoftimit zyrtar, stafet e Albcontrol kanë akomoduar të gjitha kërkesat e pilotëve për shmangien e këtyre fenomeneve gjatë fazave të fluturimit.
Si pasojë e devijimeve të shkaktuara nga moti i keq, parashikohen vonesa në disa prej fluturimeve të ditës së sotme. Albcontrol bën me dije se po e ndjek situatën nga afër, me qëllim garantimin e sigurisë dhe vijimësisë së shërbimeve të lundrimit ajror.