Qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa për të monitoruar situatën e çmimeve të karburanteve në vend, në kushtet e luhatjeve në tregjet ndërkombëtare. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, së bashku me ministrin e Financave, Petrit Malaj, dhe ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, zhvilluan një takim me kompanitë kryesore të sektorit të hidrokarbureve dhe drejtuesit e Shoqatës së Hidrokarbureve.
Gjatë takimit u analizua ecuria e çmimeve në bursën Platts të Mesdheut, që shërben si referencë për benzinën dhe gazoilin, si dhe raporti mes çmimeve të importit dhe atyre të shitjes në tregun vendas.
Institucionet ranë dakord për rritjen e transparencës dhe shkëmbimin e rregullt të informacionit për lëvizjen e çmimeve. Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë do të vendosë një mekanizëm monitorimi të përditshëm të tregut, ndërsa Ministria e Financave do të krijojë një task-forcë të përbashkët mes tatimeve dhe doganave për të kontrolluar marzhet e fitimit dhe për të parandaluar rritjet abuzive të çmimeve.
Autoritetet theksuan se monitorimi do të vijojë për të garantuar stabilitetin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve.