Arrestohet gardiani i burgut të sigurisë së lartë në Fushë Krujë, tentoi të fusë 22 celularë për bosët e krimit!

Një gardian i burgut të sigurisë së lartë në Fushë Krujë është arrestuar pas një tentative për të futur sende të ndaluara në qeli. Policia dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB) konfiskuan 22 celularë, të cilët do të shkonin në duar të kriminelëve të rrezikshëm.

NJOFTIMI I POLICISË:

Në IEVP Fushë-Krujë, inteligjenca operative në sistemin e burgjeve ka parandaluar një tentativë për futjen e sendeve të ndaluara, konkretisht aparate celularë dhe lëndë narkotike, të cilat kishin si destinacion qelitë e të dënuarve dhe të paraburgosurve.

Punonjësi i rolit bazë, H.Ç., gjatë ndërrimit të shërbimeve, me veprime aktive ka hedhur një qese të zezë me peshë rreth 6 kg në një nga tarracat e regjimit të jashtëm, me synimin për t’i futur më pas në regjimin e brendshëm.

Menjëherë pas konstatimit të ngjarjes, zona është rrethuar dhe është siguruar vendi i ngjarjes për kryerjen e veprimeve të para hetimore. Janë njoftuar menjëherë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) dhe Policia e Fushë-Krujës. Pas mbërritjes së autoriteteve përkatëse, pakot janë hapur dhe brenda tyre janë gjetur:

– 22 celularë me aksesorët përkatës (karikues, kufje)
– 3 doza kokainë
– 30 koka përshtatëse karikuesi nga Android në iPhone

Pakot janë gjetur të hedhura në tarracën sipër depos së armatimit, pranë depozitës së gazit dhe nën Vendrojën Nr.1.

Lidhur me këtë ngjarje, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e juridiksionit përkatës, po kryejnë veprime hetimore me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave dhe autorëve të tjerë të mundshëm.

Si rezultat i hetimeve të deritanishme, punonjësi i rolit bazë, H.Ç., është arrestuar në flagrancë për veprat penale “Futja e sendeve të ndaluara në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *