Bërthama e brendshme e Tokës mund të ketë ndryshuar formë gjatë 20 viteve të fundit, sipas një studimi të publikuar dje. Ndërkohë që bërthama mendohet të jetë në formë sferike, skajet e saj mund të kenë pësuar shtrembërime prej deri në 100 metra ose më shumë në disa zona, shpjegon profesori John Vidale, udhëheqës i studimit të publikuar në revistën Nature Geoscience të hënën.
Bërthama e brendshme e Tokës është ajo që mund të quhet “zemra” e planetit tonë, pasi prodhon fushën magnetike që mbron jetën nga rrezatimi i dëmshëm i Diellit. Ajo rrotullohet në mënyrë të pavarur nga bërthama e jashtme lëngshme dhe pjesa tjetër e planetit. Pa këtë lëvizje, Toka do të humbiste fushën e saj magnetike dhe do të dukej më shumë si Marsi, një planet i shterpët që ka humbur fushën magnetike miliarda vjet më parë.
Sipas studiuesve, ndryshimet në formën e bërthamës së brendshme mund të ndodhin aty ku buza e saj e ngurtë prek bërthamën e jashtme të nxehtë dhe metalike të lëngshme.