Dy ditë pas mbledhjes së mbështetësve të kryebashkiakut Erjon Veliaj para SPAK-ut, ku pritej masa e sigurisë ndaj tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dërguar një mesazh të fortë për kryeministrin Edi Rama. Gjatë një deklarate për mediat, Berisha paralajmëroi Ramën se nuk duhet të guxojë të organizojë më protesta para SPAK, pasi opozita do të përgjigjej me një kundërprotestë që ai nuk do të mund ta parashikonte.
“Po i jap një ultimatum Edi Ramës: mos guxo të organizosh më një protestë, sepse opozita do të reagojë me një kundërprotestë që s’ke mundur ta imagjinosh. Mos guxo, mbaje mend këtë. Nëse thirresh për protestë, do të thirret një protestë përfundimtare për ty. Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve, ka ardhur momenti që të përballesh me votën e shqiptarëve, por sulmi yt kaloi çdo limit, duke tejkaluar edhe figura të njohura të krimit, si El Çapo, Toto Rina dhe çdo kriminel tjetër, qoftë në pushtet, qoftë jashtë tij”.
Berisha e cilësoi të turpshme organizimin e protestës para institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se me këtë veprim, Rama po i jepte shqiptarëve mesazhin se kërkonte një drejtësi të nënshtruar nën kontrollin e tij.