Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur sot t’i kalojë mandatin e vetëm të “Shqipëria Bëhet” kandidates Ana Dajko, duke rrëzuar kështu vendimin e mëparshëm të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi. Nga ky vendim përfiton Dajko, e renditur e para në listën e mbyllur të kësaj nisme, ndërsa e humbet mandatin Kleana Xhuveli, kushërira e kandidatit të pavarur Arlind Lapaj.
Pas vendimit të KAS, Lapaj ka reaguar me tone të forta, duke e cilësuar si një “standard të dyfishtë”. Ai solli në vëmendje rastin e Partisë Socialdemokrate, ku pas dorëheqjeve të kandidatëve në listë të mbyllur, mandati iu dha atyre të listës së hapur.
“Pra, PSD-së i pranohen dorëheqjet dhe mandati kalon te lista e hapur. Neve jo që jo! Për ne zbatohet tjetër ligj se ne jemi Gulag.
Jam aq shumë krenar që luftoj për garën e hapur! Do vijë dita e asaj që po kërkojmë. Një ditë ky vend do ketë garë,” – shkruan Lapaj në reagimin e tij.