Autoriteti Portual i Vlorës njofton se, për shkak të kushteve të këqija hidrometeorologjike, udhëtimi me tragetin e linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë do të anulohet nga e diela (23 mars) deri të hënën, më 24 mars, deri në orën 22:00. Po ashtu, gjatë periudhës 23-25 mars, do të ndalohet dhe lundrimi i mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit.
Sipas njoftimit, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të pezullojnë udhëtimet deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike, të cilat pritet të stabilizohen pas orës 22:00 të datës 24 mars.
Njoftimi i plotë:
Për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike në det, ku pritet forcë ere deri në 8-9 bft dhe dallgë deri në 4.5 metra, autoritetet kërkojnë bashkëpunim nga të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet në det për të marrë masat e duhura për sigurinë e mjeteve dhe ekuipazheve.
Masat e ndërmarra janë si më poshtë:
-Ndalohet pajisja me leje-nisje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 e datës 23 mars 2025.
-Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, duhet të kenë parasysh kushtet hidrometeorologjike dhe të sigurojnë mjetet e tyre.
-Anijet e transportit ndërkombëtar për pasagjerë dhe automjete në linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë do të anullohen deri në përmirësimin e kushteve detare pas orës 22:00 të datës 24 mars 2025.
Situata e përkeqësuar e motit për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit do të përmirësohet pas orës 08:00 të datës 25 mars 2025.
Autoriteti Portual i Vlorës u bën thirrje të gjithë operatorëve dhe marinarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat e sigurisë.